logo QKVF

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike prezanton Kalendarin e aktiviteteve dhe projekteve për vitin 2016:

 

 


Në kuadrin e nismës “Edukimi i Brezave Përmes Kulturës”, të nisur nga Ministria e Kulturës që në vitin 2014, QKVF do të organizojë një workshop për instrumentat popullore me pjesëmarrjen e instrumentistëve dhe punuesve të instrumentave popullore. Workshop-i do të mbahet në shkollën 9-vjeçare Servete Maçi ku fëmijët do të marrin mësime mbi përdorimin e instrumentave popullore nën drejtimin e bartësve popullorë. Ky aktivitet do të zhvillohet në bashkëpunim me DAR dhe UART dhe parashikohet të ketë impakt të madh dhe të vazhdueshëm në edukimin e brezave mbi folklorin tonë.


Projekt tjetër që QKVF ka në plan të zhvillojë këtë vit është Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Popullore Qytetare, Edicioni XIV-të. Festivali do të zhvillohet në muajin Mars në qytetin e Elbasanit, në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti. Arsyeja përse u zgjodh pikërisht ky muaj është që Festivali të kontribuojë në atmosferën festive që qyteti merr për Festën e Ditës së Verës e cila tani është kthyer edhe në Ditë Kombëtare. Në këtë festival do të marrin pjesë këngëtarë dhe grupe këngëtarësh nga të gjitha qarqet e Shqipërisë, përkatësisht nga qytetet: Elbasan, Tiranë, Kavajë, Durrës, Berat, Krujë, Dibër, Shkodër, Lushnje, Fier, Korçë, Pogradec, Vlorë. Gjithashtu do të ftohen për të përshëndetur Festivalin grupe folklorike nga Kosova, Mali i Zi ose Maqedonia.


Gjithashtu për këtë vit është planifikuar edhe Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Sazeve, Edicioni IX-të. Festivali planifikohet të zhvillohet në qytetin e Korçës, në muajin Maj me pjesëmarrjen e grupeve të instrumentistëve të sazeve nga qytetet: Përmet, Korçë, Ersekë, Berat, Pogradec, Bilisht, Tepelenë, Fier, Vlorë, Lushnje, Tiranë dhe një ftesë e veçantë do t’i ofrohet edhe grupit të sazeve të Frëngovës, Strugë i cili ka qënë pjesëmarrës edhe vite të tjera si dhe grupeve çame.


Me 29 Shtator, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, QKVF planifikon të organizojë aktivitetin “Parada e Valleve, Këngëve dhe Kostumeve Popullore” në qytetin e Tiranës. Ky do të jetë një projekt i veçantë i cili do të veshë qytetin me petkun tonë kombëtar në këtë ditë të rëndësishme për kulturën shqiptare duke sjellë më pranë njerëzve tipologji të ndryshme të Folklorit tonë. I gjithë publiku që do të ndodhen në kryeqytet ato ditë  është i ftuar të marrë pjesë në aktivitetet që do të zhvillojmë për të festuar së bashku mbi traditat tona kombëtare.


Ndërsa në muajin Tetor të këtij viti, QKVF do të organizojë Edicionin IX-të të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë në qytetin e Lezhës. Ky Festival do të sjellë në skenë grupe instrumentistësh dhe rapsodësh nga: Mirdita, Malësia e Madhe (Koplik), Puka, Tropoja, Gramshi, Kukësi, Shkodra, Laçi, Durrësi (Rrashbull), Kruja, Mallakastra, Lezha, Bulqiza, Dibra, Mati, Vau i Dejës, Hasi, Vlora, Tirana. Do të jenë të mirëpritur për të përshëndetur Festivalin edhe grupe nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia.

 

Ju mirëpresim në aktivitet tona!

Kalendari i QKVF për Vitin 2016