IMG_9535 (2)logo e FFKGJ 201 

 

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës – ArgjiroFest_ON 2015

 

Edicioni i X i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës u mbajt në Maj të vitit 2015. Duke qënë monumenti më i madh i Trashëgimisë Jomateriale, i cili jo vetëm duhet ruajtur si institucion por duhet të jetë i fortë dhe i gjallë që të mund të përcillet e të trashëgohet, këtë vit ishte më madhështor se kurrë dhe u shndërrua në një nga ndërmarrjet më të mëdha folklorike, kulturore dhe artistike dhe në vend.

7 ditë e 7 netë të këtij Festivali i dhanë jetë dhe ngritën në Qytetin e gurtë kështjellën e Trashëgimisë Jomateriale të cilës Ministria e Kulturës i kushton një rëndësi shumë të madhe jo vetëm si vlerë kombëtare, jo vetëm si pasuri shpirtërore e popullit dhe kombit por edhe si një pjesë shumë e rëndësishme e kulturës universale në rajon dhe Europë. Ky thesar i jashtëzakonshëm me larminë e folklorit në perlat muzikore, poetike, instrumentale, zakonore, pa folur për kostumet e rralla për nga densiteti dhe historia u shpalos si rrallëherë me madhështinë e vet, me origjinalitetin dhe cilësinë më të plotë.

Puna për organizimin e Festivali ka filluar që në krye të vitit 2014, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës. Koordinatori kryesor është Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike.

Në një maratonë të trashëgimisë jomateriale në 12 qarqe, me kontakte, takime, vëzhgime, audicione dhe koncerte të Komunave dhe Bashkive morën pjesë rreth 7230 bartës të folklorit ndër të cilët rreth 1600 fëmijë e të rinj, të cilët kaluan në përzgjedhjen e fazës së parë të komisioneve të ngritura pranë qarqeve të cilët i sollën koncertet nga Komunat e Bashkitë në nivel Qarku.

Komisioni Përzgjedhës i Festivalit i përbërë nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, Ministria e Kulturës, studiuesit e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, si dhe nga Grupi i realizimit artistik, me në krye Drejtorin Artistik të Festivalit, Profesor Thoma Gaqi dhe regjisorin Bledar Laço, ndoqën nga afër dhe në terren të 12 koncertet folklorike në rang qarku që u zhvilluan në të gjithë Shqipërinë.

Në këtë fazë morën pjesë 1756 bartës të folklorit, nga të cilët rreth 530 fëmijë e të rinj si dhe rreth 400 gra e vajza.

Nga data 10 deri 16 maj më shumë se 1700 konkurrues në të gjitha gjinitë dhe nga të gjitha krahinat si dhe nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi morën pjesë në garën e madhe të Folklorit. Më shumë se 100 kostume u rindërtuan sipas teknikave të artizanatit autentik nga Ministria e Kulturës dhe u prezantuan në skenën e Folklorit. Mbi 15 të ftuar specialë gjallëruan Netët e Festivalit dhe gjithë qytetin e Gjirokastrës.

Gjithashtu Festivalin e përshëndetën grupe të ftuara nga arbëreshët e Italisë, shqiptarët e SHBA, Zvcirës, Turqisë me rreth 100 artistë, të cilët sollën zërin e jashtëzakonshëm të Diasporës shqiptare

Gjithë qyteti u kthye në një skenë më të madhe se sa skena e dedikuar ku 24 orë ndodhën pa ndërprerje ngjarje kulturore që përfshinë qytetin, mijëra vizitorë vendas e të huaj në Skenën e hapur të sheshit Fantazia, në Qafën e Pazarit, në shtëpitë muze, në sheshin e Odeonit dhe në Kala.

Natën e fundit, në mbrëmjen e ceremonisë përmbyllëse Juria e përbërë nga:

  1. Kryetari i jurisë, kompozitori Zef Çoba,
  2. Prof. Dr. Afërdita Onuzi,
  3. Prof. Dr. Agron Xhagolli,
  4. Drejtor i TKOB, Ilir Kerni,
  5. Kompozitori dhe profesor Hajg Zacharian,

pas shumë dilemash dhe diskutimesh vendosi çmimet si më poshtë:

  1. Çmimi i parë: Qarku Tiranë
  2. Çmimi i dytë: Qarku Berat
  3. Çmimi i dytë: Qarku Korçë
  4. Çmimi i tretë: Qarku Lezhë
  5. Çmimi i tretë: Mali i Zi
  6. Rapsodi më i mirë: Turk Mustafa, Qarku Shkodër
  7. Orkestrina më e mirë e Veriut: Ansambli Mati, Qarku Dibër
  8. Orkestrina më e mirë e Jugut: Orkestrina e Qarkut Korçë
  9. Këngëtari më i mirë: Egzona Salaj, Mali i Zi
  10. Interpretimi më i mirë në valle: Valle dasme Lunxhiote, Qarku Gjirokastër
  11. Valltari më i mirë: Shefki Bekteshi, Ansambli Drita e Dervenit,
  12. Shkup Instrumentisti më i mirë: Zhani Struga, Qarku Korçë
  13. Paraqitja më e mirë e veshjeve popullore: Qarku Lezhë
  14. Teksti popullor më i vjetër: “Llaxoret”, Qarku Tiranë

Në Festival u nderuan në mënyrë të posaçme figura me kontribute në foklkorin shqiptar. Çmimi i veçantë i karrierës iu dha Lefter Çipës.

Me çmime të karrierës u nderuan edhe :

  1. Qarku Fier – Guri Rokaj
  2. Qarku Dibër – Myfterim Kupe
  3. Qarku Dibër – Qerim Sula
  4. Qarku Durrës – Refat Sulejmani
  5. Qarku Durrës – Skënder Mustafaj
  6. Qarku Korçë – Bylyre Jashari
  7. Qarku Korçë – Zhani Struga
  8. Qarku Kukës – Deli Metalia – Tropojë
  9. Qarku Kukës – Grupit të valles së burrave Kukës
  10. Grupi “Strajani” Gostivar – Mjeshtrit të Kavallit Salla Shabani
  11. Qarku Tiranë – Nuri Gjoni dhe Hysen Pere për “Bastarçja e vjetër” – Komuna Zall-Bastars
  12. Qarku Lezhë – Pal Dedgjonaj
  13. Qarku Lezhë – Grupi i burrave Mirëditë me “Melodi Orkestrale”
  14. Qarku Vlorë – Katina Beleri
  15. Qarku Vlorë – Vendim Kapaj
  16. Qarku Lezhë – Gjovalin Ndreca, instrumentist
  17. Qarku Elbasan – Shaqir Sinani
  18. Qarku Fier – Shaban Zeneli, Muharrem Mezani
  19. Qarku Shkodër – Terezina Shtjefni

Konkurenca ishte e fortë dhe pjesëmarrja lumturisht e gjerë e bëri të vështirë ndarjen e çmimeve, dhe Juria vendosi gjithashtu të japë çmime inkurajuese për disa bartës të folklorit që u shquan për nivel të lartë, për vërtetësi dhe origjinalitet në prurjet e tyre si më poshtë:

Çmime inkurajuese

  1. Qarku Shkodër – për tinguj burimorë me çifteli
  2. Grupi i fëmijëve Fushë – Arrëz, Pukë.
  3. Qarku Shkodër – për “Lojë me Kullanë” Grupi i fëmijëve, Shoqata Kulturore Zadrimore
  4. Qarku Gjirokastër – për lojën me klarinetë Igli Sadik Zeqiri
  5. Qarku Korçë – për valle Gorarçe, Grupi i fëmijëve
  6. Qarku Kukës – Vjollca Harudhaj, Has
  7. Qarku Berat – Kërcimtarit Elsaev Sylari
  8. Qarku Durrës – Amelda Fasa “Riti i Bletës”

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës zhvillohet një herë në pesë vjet. Ai është monumenti më i madh i Trashëgimisë Jomateriale, i cili jo vetëm duhet ruajtur si institucion por duhet të jetë i fortë dhe i gjallë që të mund të përcillet e të trashëgohet, njësoj siç ruajmë e mbrojmë kalatë dhe parqet arkeologjike! Festivali Folklorik i Gjirokastrës është monument kulture dhe si i tillë duhet të mbrohet nga shteti dhe nga e gjithë shoqëria. Ai është i vetmi monument kulture ku marrin pjesë e përfaqësohen, në një mënyrë apo në një tjetër të gjithë shqiptarët, kudo që janë.

Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Veprimtarisë Foklorike, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike, në vijim do të organizojnë Tryezën Post-Festival me karkter studimor për të nxjerrë në pah elementët që shquan në këtë Festival dhe për të krijuar një terren të favorshëm studimor për Folkorin shqiptar.

Edicioni i 11 i Festivalit Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do të zhvillohet në vitin 2020

 

IMG_9535 (1) IMG_9122 (1) IMG_0332 (1)

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës – ArgjiroFest_On 2015